Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes, në shkollën “Pashko Vasa” u organizua aktiviteti festiv me nxënës, mësues e prindër duke krijuar një atmosfere të veçantë bashkëpunimi dhe gëzimi.

Drejtoresha e shkollës, Ardiana Lepuri, prezantoi një projekt mbi ushqimet tradicionale në arsimin fillor dhe një tjetër mbi klasat rekreative dhe ambientet e gjelbërta në arsimin e mesëm të ulët. Një moment emocionues ishte rikthimi simbolik në familjen e madhe të kësaj shkolle i mësueses në pension, Luçie Mhilli.

Festës i dhanë një pamje të veçantë edhe nxënësit, të cilët kishin zgjedhur të paraqiteshin me veshje tradicionale, duke sjellë ngjyra dhe kulturë në çdo detaj.

Ky aktivitet në shkollën “Pashko Vasa” theksoi vlerën e familjes, jo vetëm në kuptimin e saj tradicional, por edhe si një komunitet edukues ku të gjithë kontribuojnë për të ardhmen e brezave të rinj. Kjo shkollë ka 120 nxënës ku 9 prej tyre janë me aftësi ndryshe.