Në finalen e madhe të “Abissnet Superiore”, e zhvilluar në “Arenën Kombëtare” të Tiranës, Vllaznia u mund me shifrat e thella 0-4 nga Egnatia, duke humbur shansin për të rikthyer titullin kampion pas 24 vitesh. Një disfatë e rëndë për kuqeblutë, që u përballën me një kundërshtar të vendosur dhe me efikasitet të lartë përpara portës.

Pas dështimit, trajneri gjerman Thomas Brdariç dhe drejtori sportiv Tefik Osmani u larguan nga detyra, duke i hapur rrugë një faze të re për skuadrën. Për këtë situatë është shprehur gazetari sportiv Edmond Dibra, i cili thekson se shkarkimet ishin të pritshme pas rezultatit zhgënjyes në finale. 

Megjithatë, Dibra i qëndron idesë se sezoni i Vllaznisë nuk ishte aspak negativ. Tani për klubin shkodran nis një etapë e re. Me një sezon të ri përpara dhe një objektiv të vetëm: rikthimin e lavdisë së munguar. Tifozët presin lëvizjet e radhës në pankinë dhe merkaton e verës.