Në një ditë historike për median e qytetit si ai i 80-vjetorit të Radio Shkodrës, pjesë e saj u bënë edhe dy shkolla të mesme të qytetit, gjimnazi “28 Nëntori”, që mban titullin “Nderi i Kombit”, dhe gjimnazi “Oso Kuka”. Të rinjtë u pritën nga drejtori Jetmir Shpuza. Ata vizituan ambientet e RTSH Shkodra për të njohur nga afër historinë, rolin dhe funksionimin e medias publike.

Vizita e nxënësve u shoqërua me prezantime dhe shpjegime interaktive duke sjellë një ndërthurje mes trashëgimisë së pasur mediatike dhe interesit të brezit të ri për gazetarinë, teknologjinë dhe komunikimin.

Me këtë aktivitet simbolik, 80-vjetori i Radio Shkodrës nuk u përkujtua vetëm si një datë kalendarike, por si një urë mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes zërave që e ndërtuan dhe atyre që mund ta pasojnë.