Stadiumi “Arena Kombëtare” do të jetë këtë të hënë “skena” ku do të vendoset fati i kampionatit kombëtar. Vllaznia përballet me Egnatian në finalen e “Abissnet Superiore”, një duel që përcakton kampionen e re të Shqipërisë.
Për shkodranët, kjo është më shumë se një ndeshje pasi është një shans historik për të rikthyer titullin kampion pas plot 24 vitesh pritje. Herën e fundit, ishte viti 2001 kur Vllaznia ngjitej në majë. Dhe pjesë e asaj skuadre ishte edhe ish-futbollisti Amarildo Belisha.
Në anën tjetër, Egnatia vjen si kampione në fuqi dhe kërkon të mbrojë titullin. Por përballë do të ketë një Vllazni të etur për lavdi dhe histori. Në një stadium neutral, Shkodra ëndërron rikthimin e madh, një titull që do të kurorëzonte një pritje gati çerek shekullore. Sytë dhe zemrat e tifozërisë së këtij qyteti do të jenë të gjitha në “Arena Kombëtare” ku Vllaznia dhe Egnatia do të masin forcat për titullin kampion.
