Kënga fituese në kategorinë 9-14 vjeç e Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, që zhvillohet në Shkodër, do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong Junior Contest, kompeticionin më prestigjioz evropian për të rinjtë.

Ky hap i rëndësishëm u zyrtarizua përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Bashkisë Shkodër dhe Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), e firmosur nga znj. Eni Vasili, drejtoreshë e RTSH-së, dhe zyrtarë të Bashkisë Shkodër.

Festivali, tashmë në edicionin e 63-të, jo vetëm që vijon të jetë një platformë për dhjetëra krijues të muzikës për fëmijë dhe qindra talente të vegjël nga gjithë vendi, por tanimë bëhet edhe porta drejt skenës evropiane.

Ky zhvillim e ngre në një nivel të ri festivalin tradicional të Shkodrës dhe forcon rolin e qytetit si qendër e rëndësishme e kulturës dhe artit për fëmijë në Shqipëri.