Shkolla e Mesme Teknike Pyjore “Kolë Margjini” çeli dyert për nxënësit e shkollave 9-vjeçare të qytetit, në kuadër të ditës së dyerve të hapura. Aktiviteti kishte për qëllim njohjen nga afër me mjediset dhe programet e specializuara që ofron kjo shkollë profesionale, e vetmja e këtij lloji në vend.

Nxënësit patën mundësinë të vizitojnë klasat, laboratorët, si dhe të njihen me drejtimet kryesore si “Pyje” dhe “Përpunim druri”, të cilat shtrihen në disa nivele formimi profesional dhe teknik. 

Kjo shkollë, me traditë që nga viti 1959 bashkëpunon me institucione e organizata kombëtare dhe ndërkombëtare për praktika, shkëmbime dhe mbështetje për të rinjtë. Nxënësit që përfundojnë formimin, përfitojnë certifikime të njohura brenda dhe jashtë vendit.