Në mjediset e Bibliotekës Publike “Marin Barleti” në Shkodër, u zhvillua një veprimtari përkujtimore në nder të 94-vjetorit të lindjes së intelektualit Nexhmi Bushati, i ndarë nga jeta prej më shumë se një viti, figurë që la gjurmë të thella në fushën e studimeve historike dhe përkushtimit qytetar.
Nexhmi Bushati ishte ndër të paktët studiues që ndoqi me ndershmëri gjurmët e të atit, Hamdi Bushatit, duke ruajtur dhe përcjellë vlerat e kërkimit të vërtetësisë në histori. Me veprën “Shkodra në Mote”, ai ka lënë një pasuri të pazëvendësueshme për brezat e ardhshëm dhe për këdo që dëshiron të hulumtojë mbi historinë e Shkodrës gjatë shekujve XVII-XIX.
Në këtë homazh përkujtimor morën pjesë studiues si Gjovalin Çuni, Maxhid Cungu, Xhahid Bushati dhe Erzen Koperaj, të cilët vlerësuan figurën e tij si model përkushtimi dhe urtësie.
Aktiviteti shërbeu si një kujtesë për Shkodrën, qytetin që ka patur dhe vijon të ketë figura që i kanë dhënë dritë dijes dhe kulturës, duke lënë pas një trashëgimi të denjë për t’u ruajtur e nderuar.
