Një ndeshje miqësore me vlera të veçanta është zhvilluar pasditen e së premtes në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, ku veteranët e Vllaznisë u përballën me ish-lojtarët e Real Valladolid nga Spanja.

Para se topi të vihej në lëvizje, u zhvillua një ceremoni nderimi për disa prej figurave më të shquara të futbollit shkodran, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar ndër vite. Bashkia Shkodër dhe KF Vllaznia ndanë çmime mirënjohjeje për këta veteranë, duke i kthyer emocionet dhe kujtimet në një moment solemniteti e respekti.

Real Valladolid triumfoi me rezultatin 2 me 0, ndërsa një ndër prurjet më të veçanta të skuadrës spanjolle ishte Valdet Rama, ish-futbollist i Kombëtares shqiptare, që i dha një tjetër vlerë kësaj përballjeje.

Ky event shënoi jo vetëm një sfidë simbolike sportive, por edhe një moment nderimi për kontributin e atyre që kanë shkruar historinë e futbollit në Shkodër.