Dr. Ing. Aledia Bilali ishte e ftuara e radhës në serinë e takimeve “Ta Tham n’Shkodër”, organizuar në kuadër të programit “Personazhe në Fokus”. Aktiviteti u zhvillua në Kinema “Republika” duke mbledhur të rinj nga Shkodra dhe më gjerë.
Me një karrierë të konsoliduar në fushën e inxhinierisë dhe lidershipit të gruas, Aledia Bilali ndau përvojën e saj profesionale dhe jetësore, duke i inkurajuar të rinjtë të ndjekin ëndrrat e tyre pa u trembur nga sfidat.
Organizuar nga Qendra Rinore “Atelie” në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, Qendrën për Hapje dhe Dialog ky takim kishte për qëllim të krijonte një hapësirë dialogu e motivimi, ku shembujt pozitivë frymëzojnë brezin e ri.
Aktiviteti u shoqërua me diskutime të hapura, pyetje nga të rinjtë dhe një atmosferë frymëzuese që synon të ndërtojë ura midis eksperiencës dhe aspiratave të brezit të ardhshëm.
