Në Shkodër, temperaturat dhe moti i kthjellët favorizuan atmosferën e krijuar në rrugët e qytetit këtë 1 maj. Në këtë gjallëri, ndikim pati edhe dita e parë e festës së luleve, traditë e kryeqendrës së veriut.
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve ishte një kombinim mes festës, kujtesës historike dhe pranisë së vizitorëve të huaj. Turistët vlerësojnë klimën pozitive ndërsa qytetarët ndajnë mendime të ndryshme mbi simbolikën e kësaj dite por ajo që dominon është padyshim fryma festive në qytet.
“Vij nga Gjermania dhe kam zgjedhur Shqipërinë për pushime me një kohëzgjatje një-javore. Shkodra, një nga qytetet më të bukura që kam parë,” shprehet një vizitore e huaj në Shkodër.
“Jemi nga Sarajeva dhe kemi dëgjuar shumë fjalë të mira për vendin tuaj ndaj vendosëm ta vizitojmë. Atmosfera duket tejet e këndshme,” theksojnë dy bashkëshortët nga Bosnje-Hercegovina.
Në vitin 1902, në Shkodër u krijua “Shoqnia Ndihmëtare”, sindikata e parë e zejtarëve shqiptarë, ndërsa më 1905 u organizua edhe kremtimi i parë i 1 Majit në Shqipëri, një piknik i madh i punëtorëve shkodranë. Emra të njohur si Shtjefën Ingriz, Lazër Gurakuqi, Gjon Gajtani, Kolë Maca, Kolë Bianku e të tjerë, hodhën themelet e një tradite që ruhet në kujtesën kolektive të qytetit.
