Kuqeblutë e Vllaznisë janë 180 minuta larg arritjes së objektivit madhor që është ai i fitimit të kampionatit. Nëse do të ndodhë, ky trofe do të rikthehej në Shkodër pas 24 viteve mungesë. Pak ditë para nisjes së “Final 4”, skuadra shkodrane ka mësuar kundërshtarin me të cilin do të ndeshet që është Dinamo City. Ish-futbollisti Edmond Doçi ndihet besimplotë se kuqeblutë do ta kalojnë me sukses këtë rival.
Për Doçin, këtë vit nuk ka diferenca mes pretendentëve për titull. Sipas tij, ai ekip që do të tregojë shpirt më të lartë gare do t’ja dalë të bëjë për vete trofeun e madh.
Kuqeblutë janë përballur 6 herë në këtë sezon me Dinamon, 4 në kampionat dhe 2 në kupë. Bilanci anon nga blutë me tre fitore kundrejt një të kuqebluve ndërsa 2 sfida janë mbyllur në barazim. Vllaznia-Dinamo do të luhet më 4 maj në “Arena Kombëtare” të kryeqytetit. Për kalimin në finalen e madhe, Vllaznisë do t’i bënte punë edhe një barazim.
