Në kufirin midis historisë dhe natyrës, atje ku malet prekin liqenin dhe ku tradita pulson në çdo cep, shtrihet Kraja, një trevë madhështore, e pasur me kulturë, histori dhe bukuri natyrore të jashtëzakonshme.
Kraja nuk është thjesht një vendbanim i lashtë; ajo është një korpus i gjallë kulturor, që ndër shekuj ka ruajtur dhe trashëguar një identitet të pasur. Në të kaluarën, kjo zonë u ndërtua me një pasuri të bujshme kulturore, e cila sot vazhdon të jetojë përmes kujtesës, traditës dhe shpirtit të banorëve të saj. Banorët e Krajës nuk janë thjesht dëshmitarë të historisë, por edhe bartës të saj të përditshëm.

Duke parë nga e ardhmja, Kraja ka çdo mundësi të bëhet një destinacion i rëndësishëm kulturor dhe turistik, ku dashamirët e artit, historisë dhe natyrës mund të zbulojnë një trashëgimi të mahnitshme. Kjo është një thirrje për të gjithë ata që kërkojnë të njohin më shumë për thesaret që qëndrojnë përtej maleve të Shkodrës.
Nuk është rastësi që krajanët, edhe në momentet më sfiduese të historisë, këndonin:
Me Shkodër,
Me Shkodër,
Ne duam me Shkodër!
(Krajanët, 1945)
Potenciali kulturor i kësaj treve është i jashtëzakonshëm. Trashëgimia kulturore e Krajës përfshin gjithçka: nga ndërtesat e lashta e deri tek traditat shpirtërore që përcillen brez pas brezi. Ashtu siç e përkufizon UNESCO, “trashëgimia kulturore është trashëgimi që e marrim nga e kaluara, të cilën e jetojmë në të tashmen dhe që ua përcjellim brezave të ardhshëm”. Kraja është vetëdija jonë historike që na ndihmon të kuptojmë më mirë rrënjët tona.

Në këtë zonë, kultura dhe natyra bashkohen në një harmoni të rrallë. Peizazhet piktoreske të liqenit të Shkodrës, malet madhështore, monumentet e ndërtuara dhe festat tradicionale janë një mozaik që dëshmon për pasurinë e shpirtit krajan.

Lidhja e veçantë ndërmjet Krajës dhe Shkodrës ka qenë gjithmonë një urë bashkimi kulturor. Kjo lidhje është një thesar që duhet ruajtur, forcuar dhe promovuar, jo vetëm si një detyrim ndaj të kaluarës, por edhe si një mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të pasur kulturore dhe ekonomike.
