Dhjetëra vullnetarë dhe aktivistë nga organizata “Animals Need Me”, si dhe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë Shkodrën, Tiranën, Durrësin, Vlorën dhe të tjera, u mblodhën sot në një protestë paqësore në kryeqytet për të ngritur zërin kundër keqtrajtimit dhe vrasjeve të kafshëve të shoqërimit.

Në një situatë që aktivistët e cilësojnë alarmante, ata theksuan mungesën e progresit institucional dhe kulturor në mbrojtjen e kafshëve, pavarësisht 12 viteve përpjekje të vazhdueshme.

“Jemi lodhur nga barbarizmat e pandëshkuara nga policia dhe prokuroria,” deklaruan organizatorët, duke kërkuar ndëshkimin e autorëve të akteve të dhunës ndaj kafshëve, si dhe implementimin e masave konkrete për menaxhimin etik të kafshëve endacake dhe edukimin e qytetarëve.

Protestuesit bënë thirrje që Shqipëria të largohet nga praktikat e dhunshme dhe të ndërtojë një shoqëri më të ndërgjegjshme dhe humane ndaj kafshëve. Aktivistët falënderuan posaçërisht vullnetarët që udhëtuan nga qytete të ndryshme për t’u bashkuar në këtë kauzë.