Dinamo City do të jetë kundërshtari i radhës për Vllazninë. Sfida është e vlefshme për gjysmëfinalet e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Barazimi pa gola në ndeshjen e parë, luajtur në “Loro Boriçi” lë gjithçka të hapur për përcaktimin e skuadrës finaliste. Në konferencën e pragndeshjes, tekniku kuqeblu Brdariç është i vetëdijshëm mbi vështirësinë e saj.
“Tani është momenti i duhur për të arritur finalizimin e asaj për të cilin kemi punuar fort që prej fillimit të sezonit. Vazhdimësia ka qenë pozitive për ekipin deri në këtë moment. Për shkak të rezultatit në ndeshjen e parë, ne duhet të jemi të përqendruar për të dhënë maksimumin në Elbasan përballë Dinamos. Secili nga lojtarët i di mirë detyrat e veta si në sulm, mesfushë dhe në mbrojtje. Shpresoj shumë që të jetë një ditë e mirë për Vllazninë dhe tifozërinë shkodrane në stadium,” u shpreh Brdariç.
I pranishëm në konferencë, kapiteni i Vllaznisë, Bekim Balaj ndihet optimist për kalimin me sukses të kësaj sfide.
Krahas gjysmëfinales Dinamo City-Vllaznia që do të luhet mbrëmjen e 23 prillit në “Elbasan Arena” në orën 19, çifti tjetër i gjysmëfinales është ai mes Partizanit dhe Egnatias.
