Papa Françesku ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, më 21 prill 2025, në orën 07:35 në Vatikan, siç njoftoi kardinali Kevin Farrell, kamerlengu i Selisë së Shenjtë. Në deklaratën e tij, kardinali Farrell theksoi përkushtimin e jetës së Papës në shërbim të Zotit dhe Kishës Katolike.

Papa Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires më 1936, u bë Papa i parë nga Amerika Latine në vitin 2013, pas dorëheqjes së Benediktit XVI. Gjatë papatit të tij, ai u njoh për përulësinë, përkushtimin ndaj të varfërve dhe përpjekjet për reformimin e Kishës Katolike.  

Në muajt e fundit, shëndeti i tij ishte përkeqësuar ndjeshëm. Në shkurt, ai u shtrua në spital për trajtimin e bronkitit dhe më pas u diagnostikua me pneumoni bilaterale, duke kaluar disa javë në spital nën kujdes intensiv . 

Në nëntor 2024, Papa Françesku kishte kërkuar që funeralet e tij të jenë të thjeshta, duke shmangur ceremonitë tradicionale dhe duke preferuar të varroset në një arkë druri të thjeshtë në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë, duke u bërë Papa i parë pas më shumë se një shekulli që nuk do të varroset në Vatikan .

Pas vdekjes së tij, Selia e Shenjtë do të nisë procesin për zgjedhjen e Papës së ri, ndërsa besimtarët në mbarë botën do të kujtojnë trashëgiminë e një Papë që la gjurmë të thella në historinë e Kishës Katolike.