Në ambientet e Galerisë së Arteve në Shkodër është çelur ekspozita madhore “Idromeno, Shkodra mbretëresha e arteve dhe artistët e Alpeve shqiptare”, që përmbyll projektin e Galerisë Kombëtare të Arteve Tiranë, me titullin “Psikologjia shqiptare në artet pamore”.

Ekspozita solli në fokus vëmendjen për figurën e Kolë Idromenos dhe trashëgiminë e pasur të Shkodrës si vatër e artit shqiptar. Pjesë e saj ishin 111 vepra nga 76 artistë të njohur nga Shkodra, Lezha, Malësia e Madhe, Mirëdita, Laçi, Kukësi, Puka, Peshkopia dhe Tropoja. Kjo hapësirë pamore u konceptua si një reflektim mbi ndikimin e modernizmit perëndimor në artin shqiptar dhe rolin e tij në formësimin e identitetit kulturor të trevave veriore.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë personalitete të botës së artit dhe kulturës, përfaqësues të institucioneve dhe artdashës të shumtë.

Në intervistë për median folën:

Olsi Laska, Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, i cili theksoi rëndësinë e këtij projekti për rikthimin e vëmendjes tek rrënjët e artit shqiptar dhe dokumentimin e psikologjisë kolektive përmes veprave pamore.

Fatmir Juka, Drejtor i Galerisë së Arteve Shkodër, u shpreh se kjo ekspozitë i jep Shkodrës rolin që i takon si “kryeqytet” i kulturës në Shqipëri.

Suzana Varvarica Kuka, studiuese arti dhe kuratore e ekspozitës, e cilësoi këtë ndërthurje si një mision kulturor që i rikthen publikut vlerat e lëna në hije.

Ferit Kola, skulptor, theksoi se ekspozita e tejkalon rolin e një ngjarjeje të përkohshme artistike, duke u kthyer në një ndërgjegjësim për trashëgiminë tonë shpirtërore.

Hajdar Danjolli, piktor i njohur, ndau emocionet për pjesëmarrjen në këtë projekt që pasqyron edhe sfidat personale të artistëve në këto treva.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 17 maj 2025 në Galerinë e Arteve Shkodër, dhe fton qytetarët të “fillojnë vizitën e tyre të artit”.