Java e 35-të e “Abissnet Superiore” do të rezervojë për kuqeblutë një përplasje me Elbasanin në transfertë. KF Vllaznia ka respektuar traditën e organizimit të konferencës për mediat në prag të kësaj ndeshje. Tekniku kuqeblu Brdariç zgjodhi ta niste me momentin pozitiv të ekipit.
“Kemi punuar fort deri tani që të mbërrijmë në këtë pozicion ku ndodhemi. Asgjë nuk na është dhuruar. Objektivi ynë është i qartë. Duhet të vazhdojmë kështu sepse asgjë nuk ka përfunduar,” – shprehet Brdariç.
Sfidën me Elbasanin, Brdariç e cilëson si më të vështirën e gjithë sezonit.
“Ndaj Elbasanit në transfertë mund të jetë ndeshja më e vështirë e të gjithë sezonit. Ky ekip është nga më të fortët në kampionat dhe aktualisht po kalojnë një formë shumë të mirë. Besoj do të jetë një sfidë e fortë dhe na duhet ta përballojmë sa më mirë kundërshtarin. Javën e kaluar ndaj Dinamos arritëm një rezultat të mrekullueshëm. Bëmë çdo gjë mirë dhe shkoi sipas pritshmërive tona. Duhet të vazhdojmë me këtë lloj paraqitje,” – vijon tekniku kuqeblu.
I pyetur nga gazetarët nëse do ta ketë një sy e vesh edhe nga ndeshja e rivalit për vendin e dytë, Dinamos, Brdariç u përgjigj kështu:
“Nuk mendoj se çfarë do të bëjë rivali ynë Dinamo pasi e kam gjithë fokusin tek takimi që kemi me Elbasanin. Duhet të kapim objektivat tona dhe çdo lajtar duhet të punojë fort për këtë. Duhet t’i tregojmë tifozëve dhe drejtuesve që jemi gati për hapin e radhës,” – thotë Brdariç.
Krahas çiftit Elbasani-Vllaznia, për llogari të Javës së 35-të të Kategorisë Superiore do të luhen edhe: Egnatia-Skënderbeu, Tirana-Teuta, Bylis-Partizani dhe Laçi-Dinamo.
