Një nga ngjarjet më të rëndësishme për kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar është shpallur zyrtarisht: UNESCO ka përfshirë Arkivën e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit në regjistrin ndërkombëtar “Memory of the World” (Kujtesa e Botës).

Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm jo vetëm për dinastinë Marubi, themeluesit e fotografisë shqiptare, por edhe për Shkodrën, qytetin që i dha jetë artit të fotografisë dhe i ruajti me fanatizëm këto pasuri të rralla kulturore për më shumë se një shekull.

Arkiva përmban mijëra negativë fotografikë, pajisje historike, dokumente dhe objekte të përdorura nga Marubët, të cilat dëshmojnë jo vetëm zhvillimin e fotografisë në Shqipëri, por edhe jetën, kulturën dhe shoqërinë shqiptare ndër vite. Ajo konsiderohet si një nga trashëgimitë më të pasura të Ballkanit në fushën e fotografisë historike.

Shpallja nga UNESCO e kthen Shkodrën në qendrën e parë në Shqipëri që ka një objekt të regjistruar në “Memory of the World”, duke e bërë qytetin një pikë referimi për ruajtjen e kujtesës vizuale kombëtare në nivel ndërkombëtar.

Kjo njohje i jep zë, dritë dhe përjetësi një trashëgimie unike që përfaqëson jo vetëm artin e fotografisë, por edhe identitetin dhe shpirtin e një populli.