Një ngjarje tronditëse në fshatin Llakatund të Vlorës ka nxitur reagime të forta nga qytetarët dhe organizatat për mbrojtjen e kafshëve. Më 16 prill 2025, një burrë u filmua teksa godiste me egërsi një qen të shtrirë në rrugë me një shkop druri, derisa ai humbi jetën. Pamjet tregojnë se kafsha ishte e qetë, e pafajshme dhe nuk përbënte asnjë kërcënim. Megjithatë, akti i dhunës vazhdoi edhe pasi qeni kishte pushuar së marrë frymë.

Ngjarja ka ngjallur zemërim të madh, jo vetëm për brutalitetin e shfaqur, por edhe për mungesën e reagimit institucional. Kjo nuk është një ngjarje e izoluar – është pjesë e një zinxhiri të gjatë aktesh dhune ndaj kafshëve endacake në Shqipëri.

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë parashikon qartë ndëshkime për akte të tilla:

neni 207/b: vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit dënohet me gjobë ose burgim deri në gjashtë muaj; neni 207/c: keqtrajtimi ose torturimi i një kafshe, që sjell dëmtime të përhershme ose vdekje, dënohet me gjobë ose burgim deri në gjashtë muaj; në raste të përsëritura apo të kryera publikisht, dënimi mund të arrijë deri në tre vjet.

Këto janë norma ligjore që nuk mund të injorohen.

Organizatat dhe qytetarët kërkojnë:

identifikimin dhe ndalimin e menjëhershëm të autorit të aktit; nisjen e procedurave penale pa vonesa dhe pa justifikime; ndjekje institucionale të rasteve të ngjashme në të gjithë vendin; transparencë mbi hapat që po ndërmerren dhe mbrojtje për ata që raportojnë raste të tilla.

Dhuna ndaj kafshëve është krim. Heshtja përballë saj është bashkëpunim në krim. Nëse ky rast mbetet pa drejtësi, atëherë nuk jemi më një shoqëri funksionale, por një komunitet që pranon mizorinë si normalitet.

Drejtësia duhet të veprojë.