Pedagog, “Mësues i Merituar”. U lind në Shkodër, ku mbaroi shkollën 7-vjeçare në Shkollën e Parrucës dhe Shkollën e Mesme Pedagogjike “Shejnaze Juka” (1953). Më 1962 mbaron UT, Fakulteti Histori-Filologji, Dega Histori. Nga viti 1953–1992 punoi në arsim, në sistemin parauniversitar dhe universitar për një periudhë 39-vjeçare pa ndërprerje: në vitet 1953–1958 në qytetin e Kukësit, 1958-1960 në shkollën 7-vjeçare, Kamicë, 1958-1960 nëndrejtor në 7-vjeçaren Koplik, 1961-1968 drejtor në shkollën 8-vjeçare Shirq-Mushan dhe nga viti 1968-1992, pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik, sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”.
Themeloi në Kukës (viti 1956) të parin Kabinet Pedagogjik duke e drejtuar në vitet 1956-1958. Gjatë viteve 1991-1992 drejtoi Universitetin “Luigj Gurakuqi” si rektor i tij. Kontribuoi në transformimin e programeve mësimore, në përmirësimin e kuadrit arsimor dhe administrativ, duke sjellur pedagogë dhe punonjës të goditur më parë nga sistemi monist, krijoi lidhjet e para me universitetet jashtë vendit si të Prishtinës, Nebraska (SH.B.A.) etj.; hapi Fakultetin e Drejtësisë dhe përgatiti programet për Fakultetin e ri të Ekonomisë.
Gjatë punës në arsim e larë të kontribuoi shumë në përgatitjen profesionale të arsimtarëve të rinj pasi drejtoi për 24 vjet kursin teorik e praktik për përgatitjen profesionale të mësuesve të historisë. Mori pjesë aktive në lëvizjen demokratike dhe u zgjodh deputet i rrethit të Shkodrës për dy legjislatura: 1991–1992, 1992–1996. Gjatë legjislaturës së parë drejtoi Komisionin e Arsimit dhe Shkencës të Kuvendit Popullor, si kryetar i tij.
Ka një veprimtari të pasur në fushën shkencore veçanërisht në hartimin e teksteve shkollore të sistemit parauniversitar e universitar. Tekste universitare: “Historia e Kohës së Re”, (Pjesa e parë), Tiranë 1984 (bashkautor), “Metodikë e Historisë për Ciklin e Ulët”, Tiranë 1987 (autor), “Metodika për shkollën 8-vjeçare e të mesme”, Tiranë 1987 (autor i kapitullit “Metodat e mësimdhënies”) dhe “Historia e Kohës së Re (3) – Qytetërimi Perëndimor) 1871–1918, Tiranë, 2004 (bashkautor). Tekste të sistemit parauniversitar: gjatë periudhës 1972–2014 hartoi si bashkautor 12 tekste shkollore për lëndën e historisë, tre tekste për kl. VI gjatë periudhës 1972–1984 dhe 9 tekste për periudhën 2004-2014 (4 tekste për klasat VI-IX dhe 5 tekste për kl. X-XII).

Në ndihmë të mësuesve ka botuar Fletore Pune për kl VI – VIII dhe “Libër Mësuesi” (bashkautor) për kl. 6-7-8, Tiranë, 2008. Botoi mjaft artikuj studimorë shkencorë në “Buletinin Shkencor” të Universitetit të Shkodrës. Mbi 9 botime ka qenë redaktor shkencor. Ka shfrytëzuar literaturë të huaj në gjuhët, italisht dhe anglisht. Ka kryer një kualifikim një mujor pranë Universitetit të Padovës (1992); Ka marrë: Medalje të Shërbimit Ushtarak, (1974), Medaljen “Naim Frashëri” të shkallës III, (1983), Urdhrin e Trimërisë (1991), “Mirënjohja e Universitetit” (2012).

U nda nga jeta më 15 prill 2025.
