Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” organizoi një takim akademik ndërkombëtar në kuadër të programit Erasmus+ me temë: “Përballja me Sfidat Globale: Edukimi për Mjedisin dhe Paqen nëpërmjet Bashkëpunimit Ndërfetar në Trajnimin e Mësuesve të Fesë”.

Ky aktivitet bashkoi studiues, pedagogë dhe përfaqësues akademikë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në fushën e edukimit, sidomos për çështjet që lidhen me mjedisin, paqen dhe ndërlidhjen me trajnimet ndërfetare.

Në panelin e diskutimit, nën drejtimin e lektorit Dr. Ervis Krymbi, u mbajt një ligjëratë me temë: “Burimet ujore të Rajonit të Shkodrës dhe sfidat përballë ndryshimeve klimatike dhe rezervave natyrore”. Në të u trajtuan problematika që lidhen me mbrojtjen e burimeve natyrore dhe edukimin për një zhvillim të qëndrueshëm.

Takimi u mbështet nga Bashkimi Evropian dhe synon të krijojë ura bashkëpunimi përballë sfidave globale përmes një qasjeje ndërdisiplinare dhe ndërfetare.