Në ambientet e Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi” u promovua libri i autorit italian Giovanni Verga me titull “L’uomo che non doveva mai morire – Albania e il regime di Enver Hoxha” (“Njeriu që nuk duhej të vdiste kurrë, Shqipëria dhe regjimi i Enver Hoxhës”), një vepër që sjell dëshmi dhe reflektime për periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri.
Autori Giovanni Verga ndau me të pranishmit motivimin për të shkruar këtë libër.
“Ky libër nuk sjell një histori por disa të tilla. Unë nuk jam një historian dhe kjo që kam shkruar është krejt ndryshe nga ajo çfarë jam mësuar të bëj. Vështirësia ka qëndruar që duke qenë italian, nuk e kam përjetuar një regjim të tillë kaq të egër. Avantazhi është se këto histori i kam trajtuar krejtësisht i pandikuar nga aspekti emotiv i ngjarjeve,” – u shpreh autori i librit.
Ky promovim u kthye në një moment reflektimi për historinë e vendit dhe për nevojën që e shkuara të mos harrohet, por të kujtohet për të mos u përsëritur.
