Sami Repishti ishte një shkrimtar shprehës i politikave perëndimore në veprat e tij. Ai ishte një nga lëvruesit e shqipes në emigracion së bashku me Koliqin, Karl Gurakuqin, Arshi Pipën, Martin Camajn e jo pak të tjerë. Këta personalitete fituan lirinë personale me peshën e rëndë të humbjes së lirisë për të jetuar në vendlindjen e vet, në atdheun që për ta nuk e humbi kurrë kuptimin dhe nuk u vjetërua asnjëherë.

Të plagosur shpirtërisht por jo të dorëzuar, ata i shërbyen çdo ditë kulturës dhe kauzës së lirisë së vendit të vet. Shpërfytyrimi shpirtëror i shqiptarëve në diktaturë, përkundrejt të cilit ata luftuan pandërprerje me mjetet e tyre të artit e letërsisë, dokumentohet në librat e Repishtit: “Pika loti”, “Tregime burgu” dhe “Nën hijen e Rozafës”. Këto libra e lënë lexuesin pa frymë për fuqinë e rrëfimit, moralin e shkrimit dhe tragjedinë e fakteve.

Sami Repishti u lind në Shkodër më 6 prill 1925. Shkollimin parauniversitar e kreu në qytetin e lindjes ndërsa të lartin në Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë në Firenze të Italisë në vitin 1942-1943. Në Universitetin e New York-ut kreu Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Fakultetin e Shkencave Ekonomike, Fakultetin e Pedagogjisë. Ai kreu studimet për doktoraturë në Universite de Paris të Francës, Departamenti i Frëngjishtes dhe në Hofstra University Hempstea, Diplomë për Administratë Arsimore. 

Ai u arrestua në vitin 1946 me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”. Repishti u dënua me 15 vjet burgim, nga të cilat vuajti 10 vjet në burgun e Shkodrës dhe nëpër kampe punësh të detyruara. Në vitin 1956 lirohet nga burgu dhe 4 vjet më vonë, në vitin 1960 arratiset në Jugosllavi. Pas një viti, më 1961 shkon në Itali dhe më 1962 emigroi përfundimisht në Shtetet e Bashkuara.

Ai ka dëshmuar disa herë para Kongresit dhe ka përfaqësuar denjësisht komunitetin shqiptaro-amerikan në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit. Sami Repishti ka qenë prej kohësh udhëheqës i veprimtarive kulturore dhe politike të këtij komuniteti dhe ishte një anëtar i respektuar i tij.

Në vitin 2015-të, Prof. Sami Repishti është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës” me motivacionin “Për mbrojtjen dhe pasqyrimin e vlerave qytetare dhe demokratike të bashkëqytetarëve tanë të Shkodrës si studiues, publicist dhe veprimtar i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me qendresën përballë diktaturës dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve të Shkodrës, Shqipërisë, Kosovës dhe më gjërë, ai është bërë shëmbull frymëzues për bashkëkohësit e tij.”

Repishti është autori i shumë shkrimeve në jetën e tij të gjatë e plot kontribute. Në to trajton problematika të sferave nga më të ndryshmet si: politike, sociale, kulturore, estetike. Historia e Letërsisë sonë i ka shumë borxhe pasqyrimit të figurave të tilla me kontribute të rëndësishme për ndërgjegjësimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare.