Një pjesë e shkrimeve më të rëndësishme të historianit gjerman Leopold Von Ranke janë përmbledhur së fundmi në një botim antologjik, i përkthyer në shqip nga historiani shkodran Xherardo Nikjari.
Ranke, i njohur si themeluesi i Departamentit të parë modern të Historisë në shekullin XIX në Universitetin e Berlinit, mbetet një figurë kyçe për mënyrën se si historia studiohet dhe shkruhet sot.
Redaktorja e librit është poetja Ledia Dushi dhe njëkohësisht drejtuese e Bibliotekës publike “Marin Barleti”, ndërsa për rëndësinë e këtij botimi u shpreh edhe pedagogia e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Nertila Ljarja.
Ky është libri i nëntë i përkthyer nga Nikjari, i cili ka sjellë në gjuhën shqipe një sërë veprash të autorëve klasikë të historiografisë botërore. Botimi pritet t’u shërbejë në mënyrë të veçantë studentëve të degës së Historisë në rrugëtimin e tyre akademik.
