Nga Qamil Gjyrezi…

Sot lexova statusin në FB të Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Z. Benet Beci që me të drejtë shkruante i emocionuar dhe krenar për fituesen e “X Factor”, Rigersa Loka që përfaqëson Shkodrën: “Përsëri Shkodra e para! Rigersa Loka, shkodranja e talentuar, është fituesja e edicionit të gjashtë të “X Factor” Albania! Shkodra shkëlqen si gjithmonë me talentet e saj të pashtershme. Urime Rigersës dhe Arilenës”!

Natyrisht fitorja i takon artistes së re plot talent e pasion Rigersa Loka dhe mentores Arilena Ara, por Rigersa është edukuar artistikisht në adolshencë në shkollën artistike “Prenkë Jakova”. Rigersa sot studion në Universitetin e Arteve në Tiranë për kanto.

Kam ndjekur disa interpretime të Rigersës në “X Factor” ku prezantonte një artiste me të ardhme, zë shumë të mirë, të bukur, teknikë vokale moderne, stil të kënduarit të veçantë dhe performancë gjithashtu moderne plot pasion. Diçka duhet shkruar që Rigersa Loka është “vetvetja”, prezanton aftësistë artistike personale, pa imituar.

Mentorja Arilena Ara ka një rol të rëndësishëm për realizimin e performancës, por artisti ose artistja ka një të kaluar, që për Rigersën është studimi për violinë e kanto në klasën e profesor Lukë Mllugja në Shkollën Artistike “Prenkë Jakova”. Nuk është e rastit por është fakt, që edhe në edicionin e 5-të fitues ishte një këngëtar nga Shkodra, Shkolla Artistike “Prenkë Jakova”, Alis Kallaçi. Biles duhet përmendur që edhe njëri prej përfaqësuesve Kolë Laca në Eurosong 2025, ka studiuar piano në këtë shkollë, që është simbol i muzikës dhe arteve vizive.

Natyrisht që artistët e rinj, mbas maturës kanë marrë eksperienca në shkolla të artit në Shqipëri dhe në Europë, por mendoj se formimi në adolshencë ka një rëndësi të madhe dhe kjo realizohet falë traditës dhe eksperiencës së mësuesve dhe drejtuesve të Shkollës “Prenkë Jakova”.

Që me krijimin e Shkollës Artistike “Prenkë Jakova” në vitin 1961, kanë dalë nga kjo shkollë me qindra e mijëra artistë, që sot lozin dhe këndojnë në Shqipëri dhe Europë me shumë dinjitet. Pjesmarrja e artistit në aktivitete të tjera jashtë shkollës ka gjithashtu ndikim pozitiv për të ardhmen e tyre.

Shkolla Artstike “Prenkë Jakova” duhet të mbështetet në të gjitha planet, mbasi është qendër e rëndësishme me vlera kombëtare e rajonale, i vetmi institucion profesional i edukimit artistik në Shkodër.

Edhe njëherë urime Rigersa në rrugën e bukur të muzikës. Suksese dhe urime gjithashtu Shkolla Artistike “Prenkë Jakova”, Shkodër.