Nga Xhahid Bushati…
Kujtime që përzihen me lot e dhimbje të një miqësie të bukur e të shtrenjtë prej afro 40-vitesh
Humoristi Tonin Vjerdha ka lindur më, 16.06.1953 në fshatin Shelqet të Shkodrës. Ndërroi jetë më, 25.04.2024, në moshën 71-vjeçare. Shkollën e mesme e mbaroi në vitin 1972 për teknik miniere në Përrenjas, kurse më 1977 përfundoi studimet e larta për inxhinier gjeolog. Ka punuar vite me radhë në Malësitë e Munellës e të Lakut të Roshit në Pukë. Më pas, e ushtroi profesionin e tij në Ndërmarrjen Gjeologjike – Shkodër.

Ka shkruar e botuar humor që në fillim të viteve ’70, në organe të ndryshme të shtypit letrar, ku ka fituar edhe çmime. “Një kafe për shefin” (skica dhe tregime humoristike) është libri i tij i parë.
E pata njohur Toninin (apo siç e thërrisja unë Tonçe) prej afro 40-vjet më parë, në Laç të Vaudejësit. Për llojin e punës që bëja atëhere, në gjithë zonën e Mjedës e shkelja pëllëmbë për pëllëmbë siç thonin të vjetrit. Shpesh ndalesha në Laç dhe mezi prisja të pija kafe me Toninin. Më kishte njohur Frani (Kulli), atëhere një gazetar në një gazetë qëndrore, ndërsa sot është një botues me emër.
Ishim bashkëmoshatarë. Nga natyra një tip i heshtur, por i qeshur herë pas here. Të vështronte me vëmendje. Të vështronte dhe… pastaj lëshonte të zakonshmet e tij batutat, që ishin mes të tjerash dhe ‘ëmbëlsia’ e bisedës, e bisedave pa fund. E takoja, edhe në Shkodër. Edhe këtu, si në Laç, nuk e ndanim ritualin e kafes. Një kafe e një miqësie të shtrenjtë!

Sipas meje kishte një humor të kulturuar. I talentuar si krijues. I heshtur deri në ëndërrim. Dhe ëndërronte bukur! Kjo ishte arsyeja që finesa e tij që shpërfaqej në skicat dhe tregimet, në skeçet, dialogjet që shkruante, mbretëronte në shpirtin e tij plot jetë, plot gaz e dritë. Tonini ishte i talentuar në fushën e vështirë e delikate të humorit. Kishe dëshirë ta lexoje!
E lexoje, dhe e lexova me shumë ëndje dhe dëshirë, aq më shumë kur një ditë më dha librin e tij të parë me titull: Një kafe për shefin” (skica dhe tregime humoristike) duke më kërkuar të isha redaktor i këtij libri. E pranova me qejf. Dhe do të mbetet një kujtim i bukur i punë sonë për librin e Toninit, teksa mblidheshim kokë më kokë e bisedonim me Fran Kullin (si bashkëredaktorë dhe piktorin Divni Gushta që e shndriti kopertinën, ku përmes një befasie të këndshme dhe mënyrës se si i ndërtoi gërmat e titullit, që kur i lexoje fjalët të lindte papritur një buzëqeshje, që të shoqëronte gjatë gjithë librit). Ndonëse ishte libri i parë, i botuar në vitin 1995 nga Enti Botues Poligrafik “Gjergj Fishta, Lezhë; ai solli vlera dhe veçanti stili në fushën e letërsisë humoristike.
Duke shfletuar librin përsëri dhimbja dhe kujtimet kanë dëshirë të bisedojnë me mua. E do të bisedojnë deri në frymën time të fundit. Parathënien ia dhamë shkrimtarit humorist Paulin Selimi. Humori shkon te humori. E, në mes të tjerave Paulini shkroi: “Dëshira e tij ishte të bëhej mjek, por e bënë gjeolog. Po s’është i humbur; humori qetëson, shëron shpirtrat dhe shton jetën. Pra, të jesh humorist, je edhe një mjek (pa liçensë) popullor.” Nërsa Tonini, për lexuesin, tha këto fjalë plot humor: “… po e jap (librin) për ju lexues, veçse me një kërkesë për të gjithë: – Ma lavdëroni librin ju lutem se më bëni qejfin!”
