Ibrahim Tukiçi (1926–2004) ishte një nga figurat më të shquara të artit muzikor shqiptar, një tenor lirik që la gjurmë të thella në skenën operistike dhe në interpretimin e muzikës popullore shkodrane. Lindi në Shkodër dhe nisi karrierën si vokalist në Ansamblin Artistik të Ushtrisë në vitet 1945–47. Ai ishte pjesë e Grupit Karakteristik të Muzikës Popullore Ballkanike në Radio Tirana, nën udhëheqjen e Mihal Cikos, ku u dallua për talentin e tij të jashtëzakonshëm.
Në vitin 1952, Tukiçi filloi studimet në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës, në klasën e kantos të profesor Anatoli Dalina. Gjatë viteve të universitetit (1952–1957), ai mori pjesë në shumë turne artistikë në qytete të ndryshme të Bashkimit Sovjetik, ku u dallua për zërin e tij të pastër dhe karakterin e ëmbël e të ngrohtë. Ai interpretoi këngë shqiptare, italiane dhe ballkanike, duke merituar duartrokitjet e publikut në çdo dalje në skenë.

Pas kthimit nga Moska, u angazhua në Teatrin e Operës dhe Baletit ku shkëlqeu me role të shumta operistike. Filloi me Turidon në “Kavaleria Rustikana” (1958), vijoi me Levski në “Evgeni Onegini”, “Mrika”, Sazaniti në “Pranvera”, Pinkertoni në “Madam Butterfly”, Don Hozé në “Karmen”, Dukën në “Rigoletto”, Xhavitin në “Karnavalet e Korçës” e shumë të tjera. Interpretimi i tij ishte unik për aftësitë vokale, elegancën skenike dhe ndjeshmërinë artistike.
Repertori i tij përfshinte një numër të madh ariesh, baladash dhe këngësh nga autorë shqiptarë dhe të huaj si: Zadeja, Jakova, Daija, Çajkovski, Rosini, Pucini, Rimski-Korsakov, Verdi, Musorgski etj.

Në fushën e muzikës popullore shkodrane, ai spikati me perla si: “Këndon bylbyli poshtë zallit”, “Hajde gjyle”, “Bishtalecat palë-palë”, “Kenke nuri i bukurisë”, “M’ka shkue mendja me u fejue” dhe shumë të tjera që janë pjesë e kujtesës kolektive shqiptare.

Ai realizoi gjithashtu duete të mrekullueshme me emra të njohur të muzikës shqiptare si: Marije Kraja, Luçije Miloti, Naile Hoxha, Valdete Hoxha, Fitore Mamaqi, në këngë si: “Ma ke gishtin për unazë”, “Kanga e Bakushës”, “S’ka ma t’bukur se pranvera”.

Kontributi i Ibrahim Tukiçit u vlerësua me çmime të shumta ndërkombëtare në Bukuresht, Varshavë, Vjenë, Dizhon, si dhe me tituj të lartë shtetërorë si “Artist i Popullit”, Çmimi i Republikës, Medalja e Punës, e shumë vlerësime të tjera.
Zëri dhe figura e tij mbeten të paharrueshme duke qenë një përfaqësues dinjitoz i kulturës shqiptare, një zë që jeton përtej kohës.

Ibrahim Tukiçi nuk ishte vetëm një tenor i madh, por një pasuri kombëtare!
