Në viset e thella të Dukagjinit, aty ku legjendat enden nëpër pyje, male dhe përrenj, populli ka ruajtur për shekuj një pasuri të pashtershme tregimesh të çuditshme. Një ndër më të veçantat është historia e martesës së mbinatyrshme, një gojëdhënë që prek kufirin mes reales dhe magjikes.

Tregimi flet për një djalë malësor, i ri, trim dhe i ndershëm, i cili jetonte vetëm në shtëpinë e tij, pa dëshirë për t’u martuar. Babai i kishte zgjedhur një nuse, por ajo kishte vdekur dhe prej asaj kohe, djali kishte vendosur të mos merrte më grua. Megjithëse kishte shumë vajza që e dëshironin nga Shala, Mali i Zi, Shoshi dhe Kosova por ai i shmangej martesës.

Një natë të zakonshme, teksa po bënte një kafe në prush, dikush trokiti në derë. Para tij shfaqet një grua e panjohur, me bukuri të pashpjegueshme. Nuk ishte si gratë e zakonshme të botës njerëzore, aq shumë e bukur, saqë trimi nuk besonte se ekzistonte një grua e tillë. Pasi pinë një kafe dhe shkëmbyen pak fjalë, ajo i kërkoi të martoheshin. Ai refuzoi. Para se të zhdukej në errësirë, ajo i tha: “Mos më harro!”

Kaluan tre vjet dhe ajo u kthye. Edhe një herë i kërkoi që ai ta ndiqte. I hutuar, pa e kuptuar pse, ai pranoi. Ajo e çoi në një vend të mistershëm në bjeshkë, një vend që nuk e kishte parë kurrë më parë ndonjë njeri. Aty jetonin “orët”, që përshkruhen si shpirtra të pastër të natyrës, të padukshëm për syrin e zakonshëm. Midis tyre ishte mbreti i orëve, i cili vendosi që djali të martohej me të bijën, orën zonjë.

Prej atij momenti, djali nisi një jetë të re. Vetëm ai mund ta shihte gruan e tij, të tjerët e quanin të padukshme. Jetuan bashkë për 20 vjet, patën fëmijë dhe ndërtuan një shtëpi të bukur që u admirua nga të gjithë. Por kur ai vdiq, gruaja, ora zonjë, mori fëmijët dhe u kthye në botën e saj, në malin e orëve.

Tregimi mbyllet me një paralajmërim poetik: nëse kalon në malin e orëve në agim, mund t’i dëgjosh duke folur në një gjuhë që nuk e kupton. Nëse ndalesh e dëgjon me vëmendje, mund të kuptosh se flasin për ty ose për dikë që ti njeh. Orët janë shpirtra të pastër të natyrës, që jetojnë në pyje, në shpella e pranë burimeve. Janë krejtësisht të padukshëm, por tepër të rëndësishëm në besimin popullor.

Ky tregim është shumë më tepër se një përrallë, është një dritare në botëkuptimin e malësorëve për natyrën, shpirtin dhe magjinë që e përshkon jetën përtej realitetit të dukshëm. Në një kohë ku moderniteti përpiqet të fshijë kujtesën e gojëdhënave, rrëfime të tilla mbeten si gurë të çmuar të trashëgimisë shpirtërore shqiptare.