Në ambientet e Bibliotekës Publike “Marin Barleti” në Shkodër u çel ekspozita historike “Brandenburgu dhe Prusia, pikëtakime me Shqipërinë”. Ekspozita sjell në vëmendje praninë e këtyre dy entiteteve në historinë dhe kulturën shqiptare, përmes një koleksioni të pasur hartash të rralla dhe dokumentesh të periudhave të ndryshme.

Autor i kësaj ekspozite është historiani Xherardo Nikjari, i cili tha për mediat se qëllimi është të risjellë në kujtesën kolektive ndikimin e rëndësishëm të historisë europiane në trojet shqiptare. Ndërsa pedagogu i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Ervis Krymbi, u ndal në rëndësinë e hartografisë historike.

Ekspozita e autorit Nikjari u organizua në bashkëpunim me Bibliotekën “Marin Barleti” dhe Bashkinë e Shkodrës, dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 17 prill.