Kjo e hënë në Shkodër nuk ishte e zakontë. Ajo ishte një ditë zyrtare pushimi pasi përkoi me festën e Fitër Bajramit një ditë më herët. Panorama në zonën këmbësore duket më e qetë dhe qyteti ngjan më i relaksuar.
Në këtë ditë bie në sy prania e turistëve që kanë zgjedhur të vizitojnë kryeqendrën e veriut, Shkodrën.
“Vij nga Palestina dhe kam zgjedhur të jem këtu për shkak të bukurisë së natyrës. Atmosfera dhe koha janë për mrekulli këtu,” – shprehet një turiste.
“Unë jam nga India dhe ndodhem për herë të parë në Shkodër. Kam parë pjesën e vjetër të qytetit dhe atmosfera më duket e këndshme, tepër e gjallë dhe festive. Po më pëlqen shumë ushqimi këtu,” – thotë një tjetër.
Familjarë, të rinj e të moshuar po shfrytëzojnë këtë ditë pushimi për të bërë një shëtitje pranverore në pedonalen e qytetit apo kënde të tjera.
Përtej fasadave historike, Shkodra po shfaq këtë ditë një pamje më të qetë si për të marrë frymë përpara rifillimit të ditëve të zakonshme të javës me intensitetin e vet.
