Komedia franceze “Panik në një park publik” e autores Géraldine Menuet u vu në skenë nga të rinjtë e Gjimnazit “Oso Kuka”, si pjesë e aktiviteteve kulturore të Pranverës Frankofone. Nën kujdesin e mësuese Edvalda Kuçi, shfaqja u realizua nga nxënësit e seksionit dygjuhësh dhe u veçua për interpretimin origjinal të tyre. Pjesë e kastit ishte edhe mësuesja e matematikës në gjuhën frënge, Ajrina Kalaja, e cila surprizoi publikun me një rol të spikatur në skenë.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësuesja e Ambasadës Franceze në Shqipëri, Amélie Lombardini, drejtorja e ZVA Shkodër Brisela Kadia, si dhe përfaqësues të Aleancës Franceze, Universitetit të Shkodrës, mësues, nxënës dhe prindër.

“Në kuadrin e Pranverës Frankofone, nxënësit e gjithë vendit organizojnë aktivitete të ndryshme. Ne patëm fatin të ndjekim nga afër shfaqjen e bukur që na dhuroi Gjimnazi “Oso Kuka” nga Shkodra. Na kanë dhuruar emocione pafund me interpretimin e tyre artistik,” – u shpreh përfaqësuesja e ambasadës franceze në vendin tonë, Amelie Lombardini.

Shfaqja u prit me duartrokitje dhe vlerësime pozitive, duke promovuar njëherazi gjuhën dhe kulturën franceze përmes artit skenik.