Konkursi tradicional për talentet e vegjël në muzikë “Bilbilat” mbërriti në fazën gjysmëfinale të kompeticionit. E ndarë në kategori sipas grupmoshave, në tre netët e kësaj faze marrin pjesë rreth 80 fëmijë.

Në skenën e Teatrit “Migjeni” u ngjitën në këtë natë të parë, fëmijët e kopshteve dhe ato të klasave të para, të dyta dhe të treta. Secili prej tyre solli interpretime të veçanta para spektatorëve të pranishëm. Organizatorët duken të kënaqur me prurjet e këtij viti.

Konkursi i zërave “Bilbilat” sivjet shënon vit jubilar pasi është edicioni i 30-të i tij duke vijuar më tej iniciativën e mjeshtrit të korit dhe dirigjentit të ndjerë, Kujtim Alija.

Në natën e dytë do të ngjiten në skenën e Teatrit “Migjeni” klasat e katërta, pesta dhe të gjashta. Në përfundim, juria e përbërë nga Kolec Gajtani, Bardhyl Hysa, Laorjan Ejlli, Savjana Vjerdha dhe Glerdit Turmetaj do të përzgjedhin fëmijët finalistë.