65-vjetori i lindjes ka qenë një ditë e veçantë për drejtorin e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, Arian Çuliqi. Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, kolegët e tij dhe kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i organizuan një festë surprizë për të shënuar këtë përvjetor të rëndësishëm.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Benet Beci falënderoi Çuliqin për kontributin e çmuar që ka dhënë në skenën artistike të qytetit dhe rolin e tij në drejtimin e institucionit teatror më të rëndësishëm në veri të vendit.

“Arian Çuliqi ka qenë dhe mbetet një nga figurat që i ka dhënë shumë artit shkodran. Me përkushtimin dhe vizionin e tij, Teatri ‘Migjeni’ ka rifituar gjallërinë që meriton,” – u shpreh Beci.

Nga ana e tij, Arian Çuliqi falënderoi kryetarin e bashkisë dhe stafin për vlerësimin dhe përkrahjen e vazhdueshme. Ai theksoi se vitet e fundit kanë qenë sfiduese, por edhe shumë frytdhënëse për teatrin.

“Jam mirënjohës për këtë mbështetje dhe për faktin që kemi mundur të sjellim ngjarje të mëdha kulturore në këtë skenë,” – u shpreh Çuliqi.

Arian Çuliqi është një prej emrave më të njohur të artit dhe kulturës shqiptare. Prej dy vitesh ai drejton Teatrin “Migjeni”, ku një nga arritjet më të spikatura ka qenë rikthimi, pas 30 vitesh, i Festivalit Mbarëkombëtar të Humorit – një event që ngjalli entuziazëm të madh në publik dhe komunitetin artistik.