Mëngjesi i kësaj të diele nisi me lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Selman Sheme, një prej figurave më të spikatura të botës akademike shqiptare. Me origjinë çame, ai ishte një studiues i përkushtuar dhe mbrojtës i palodhur i çështjes kombëtare, veçanarisht asaj çame.
Prej vitit 1969, Prof. Sheme dha mësim në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, si profesor i Gjeografisë Regjonale të Botës. Me përkushtim dhe qetësi, ai edukoi breza të tërë studentësh, duke u bërë një model i vërtetë i dijes dhe përulësisë.
Përtej auditorit, ai u dallua si ish-kryetar i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, si dhe autor i disa veprave të rëndësishme shkencore që pasqyrojnë historinë dhe trashëgiminë e trevës së Çamërisë.
Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë”, “Çamëria – vendi, popullsia dhe jeta ekonomike”, si dhe “Epiri i Jugut – Çamëria”.
Humbja e tij përbën një dhimbje për gjithë botën akademike dhe për çdonjërin që e vlerëson dijen dhe përkushtimin ndaj atdheut. Prof. Selman Sheme do të kujtohet gjithmonë me nder dhe respekt.
