Në ambientet e Bibliotekës “Marin Barleti” në Shkodër u organizua mbrëmja poetike “E këndueme n’ vargje”, një aktivitet që bëri bashkë poetë të rinj dhe të përvojës nga Shkodra dhe qytete të tjera.

Takimi u zhvillua në Sallën “Koliqi”, ku pjesëmarrësit interpretuan disa nga krijimet e tyre poetike. Mbrëmja kishte për qëllim promovimin e poezisë dhe nxitjen e të rinjve drejt artit të fjalës së shkruar.

Drejtuesja e Bibliotekës, Ledia Dushi, u shpreh se institucioni që ajo drejton mbështet iniciativa të tilla kulturore, duke e konsideruar poezinë një formë të rëndësishme të shprehjes artistike.

Ndër pjesëmarrëset ishte edhe Sidorela Berishaj, poete dhe mësuese në Tuz të Malit të Zi, e cila foli për zhvillimin e poezisë tek shqiptarët në këtë zonë, si dhe interesin nga të rinjtë.

Mbrëmja poetike u mirëprit nga të pranishmit, duke krijuar një atmosferë reflektimi e ndjeshmërie. Ky aktivitet u konsiderua një nxitje e mëtejshme për afirmimin e zërit poetik në hapësira publike.