Nga dita e sotme, artistja e njohur me famë ndërkombëtare, Elda Laro, ka marrë zyrtarisht drejtimin artistik të Orkestrës Simfonike të Shkodrës. Emërimi i saj u formalizua përmes një takimi në ambientet e Bashkisë Shkodër, ku kryetari Benet Beci i dorëzoi asaj kontratën, duke e falënderuar për pranimin e kësaj ftese të rëndësishme.

“Elda Laro është një emër që nderon jo vetëm Shkodrën, por edhe skenën ndërkombëtare. Të kemi një artiste të tillë në krye të Orkestrës Simfonike është një vlerë e madhe për qytetin tonë,” u shpreh kryebashkiaku Beci në fjalën e tij.

Për Eldën, ky rikthim në qytetin ku ajo lindi është më shumë sesa një pozicion i ri artistik. “Për mua, kjo ftesë është një privilegj dhe përgjegjësi. Shkodra është zemra ime dhe të kontribuoj në ringritjen e Orkestrës Simfonike është një ëndërr që merr jetë,” tha dirigjentja dhe pianistja, e cila prej vitesh është pjesë e orkestrës së Berlinit.

Pas emërimit, Laro zhvilloi një takim me muzikantët e orkestrës, ku ndau me ta vizionin për një nivel të ri artistik dhe standard të lartë profesional, duke vendosur bazat për një transformim të rëndësishëm të jetës kulturore në qytet. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe rritjes së cilësisë, si dhe paralajmëroi një kalendar ambicioz për vitin 2025 me pjesëmarrjen e emrave të mëdhenj të skenës shqiptare.

Ky emërim konsiderohet si një hap i rëndësishëm për rilindjen e Orkestrës Simfonike të Shkodrës, e cila prej vitesh mbart statusin e një simboli të trashëgimisë muzikore të qytetit. Me një vizion të qartë dhe një emër të kalibrit të Elda Laros në krye, Shkodra duket se po përgatitet të rikthehet fuqishëm në hartën e skenës simfonike shqiptare dhe më gjerë.