Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” është hapur ekspozita “Venus!”, një projekt kuratorial i Lek M. Gjeloshit, që sjell imazhe të rralla nga arkivat e tre mjeshtrave të fotografisë shqiptare: Gegë Marubi, Pjetër Rraboshta dhe Dedë Jakova.
Ekspozita ndjek një linjë konceptuale të bazuar në gjurmët e një skulpture që shfaqet në repertorin e këtyre fotografëve, duke u bërë një element narrativ për historinë e një shtëpie të njohur të Shkodrës – Shtëpisë së Mark Kakarriqit, më vonë e njohur si Shtëpia e Pionierit. Ky vend ka qenë dëshmitar i ngjarjeve të rëndësishme historike dhe politike ndër vite.
Një pjesë kyçe e ekspozitës është cikli i fotografive të realizuara në këtë shtëpi që prej vitit 1940, kur aty u inskenua “Dasma shkodrane” për llogari të një dokumentari nga Instituti “Luce”, i cili nuk u transmetua kurrë.
Kjo është ekspozita e parë për vitin 2025 në Muzeun “Marubi” dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 1 qershor. Një mundësi unike për të apasionuarit pas fotografisë dhe historisë për të zbuluar një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë vizuale shqiptare.
