Teatri “Migjeni” dhe Teatri Kombëtar kanë nisur zyrtarisht një bashkëpunim të rëndësishëm për skenën teatrore shqiptare. Drejtori i Teatrit Kombëtar, Indrit Çobani, zhvilloi një takim me kryebashkiakun Beci dhe drejtuesen e kulturës në Bashkinë Shkodër, Sara Smaja.
Në takim u diskutua mbi projektet e përbashkëta dhe premierën e parë të vitit që do të sjellë ky partneritet.
Shfaqja “Kërkohet një tenor” e autorit Ken Ludwig do të jetë prodhimi i parë i këtij bashkëpunimi, duke sjellë në skenë një komedi të suksesshme ndërkombëtare. Ky projekt synon të rrisë cilësinë e prodhimeve teatrore dhe të krijojë më shumë mundësi për artistët shqiptarë.
Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm për zhvillimin e teatrit në Shqipëri, duke forcuar lidhjet mes institucioneve kulturore dhe duke ofruar një repertor më të pasur për publikun artdashës. Më shumë detaje mbi premierën dhe datat e shfaqjeve pritet të bëhen të ditura së shpejti.




