Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka publikuar kalendarin e ri vjetor të ekspozitave për vitin 2025. Aktualisht mbetet e hapur për vizitorët ekspozita “Eveningside” të Gregory Crewdson. Ajo numëron ditët e fundit të saj ndërsa do të pasohet nga “Venus”, një ekspozitë tematike me veprat nga koleksionet e Dedë Jakovës, Gegë Marubit dhe Pjetër Rraboshtës. Ajo do të qëndrojë e hapur nga marsi në qershor.
Gjatë muajve të verës, në Muzeun “Marubi” do të çelet ekspozita “Pazari i humbur i Shkodrës, ringjallja e një kujtese” ndërsa në vjeshtë “Drejt shtëpisë”, një ekspozitë me artistë nga programi i rezidencës së “Art House School”. Fundi i vitit duke nisur nga muaji nëntor i këtij viti do të sjellë ekspozitën përmbyllëse të titulluar “Olbania”. Ajo do të qendrojë e hapur deri në shkurt të vitit të ardhshëm.
Gjatë vitit 2024, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër organizoi disa ekspozita të rëndësishme që tërhoqën një numër të konsiderueshëm vizitorësh. Muzeu regjistroi rreth 23,000 duke shënuar një rritje prej 17% krahasuar me vitin 2023 si dhe duke thyer rekord në raport me çdo vit tjetër që nga krijimi i muzeut kushtuar fotografisë.
