Prej ditësh në zonën e hyrjes për në kryeqendrën e veriut është zhvilluar aksioni i IKMT për prishjen e objekteve me dhe pa leje për rikualifikimin urban të hyrjes së Shkodrës, bregut perëndimor të liqenit dhe Muzeut të Navigimit. Ajo çfarë mund të konstatohet është fushëpamja më e qartë e hyrjes së qytetit, lumit Buna dhe urës monument kulture.
Në territorin ku është zhvilluar aksioni kanë mbetur inertet nga shembja e objekteve. Ato zënë një pjesë të mirë të sipërfaqes çka do të thotë se puna për pastrimin e tyre do të vijojë edhe në ditët e ardhshme.
Përtej pamjes që ngjan si pas ndonjë katastrofe natyrore, horizonti është zgjeruar ndjeshëm ku dallohet qartë me sy të lirë hapësira e krijuar teksa mund të soditet peizazhi natyror. E gjitha kjo të krijon një ndjesi pozitive çlirimi.
Projekti për hyrjen e qytetit të Shkodrës synon transformimin e kësaj zone në një hapësirë multifunksionale dhe rekreative. Ky projekt përfshin krijimin e një parku prej 17-18 hektarësh, që do të përmbajë mjedise sportive, shëtitore për këmbësorë dhe biçikleta, pika panoramike si dhe hapësira për aktivitete dhe koncerte.
Ai pritet të sjellë përmirësime të ndjeshme në infrastrukturën e hyrjes së qytetit të Shkodrës, duke kontribuar në zhvillimin urban dhe ekonomik të zonës.
