Tirana dhe Vllaznia kanë ndarë pikët në një barazim pa gola dhe pa shumë shije mes tyre në “Elbasan Arena” ku triumfoi mërzia për spektatorët, por që la të lumtura ekipet të cilat nuk shohin të kompromentuara pozitat e tyre në renditje.
Futboll u luajt vetëm në pjesën e parë, ku Tirana ishte më kërkuese dhe pa t’i anulohen dy gola për pozicion jashtë loje, Pastaj në të dytën nuk kishte thuajse asgjë, pasi “klasikja” e futbollit shqiptar u kthye në një miqësore, me ritëm të ulët, vonesa të pafundme loje nga skuadrat, ndërprerje të vazhdueshme për faulle dhe shumë mërzi.
Në fund të dy skuadrat morën atë që u interesonte, të paktën nga një pikë që nuk u prish punë, duke parë edhe rezultatet e rivalëve direkt në renditje.
Trajneri Brdariç deklaroi pas ndeshjes:
Marrim këtë pikë në një ndeshje të fortë. Si e nisëm lojën në pjesën e parë, nuk jam dakord. Në pjesën e dytë pak më mirë. Në pjesën e dytë patëm mundësi shënimi. Dhe për shanset e pastra, do të donim të fitonim ndeshjen. Duhet të jemi me këmbë në tokë, po luajnë për të mos rënë nga kategoria, janë ekip me histori. Luajtëm në fushë jashtë. Në përgjithësi ishte rezultat 50 me 50.
Ne luajtëm në pjesën e parë shumë avash. Provuam të kontrollojmë lojën, por nuk arritëm të çojmë topin në zonën e fundit, si donim apo si ishte ideja jonë për sot. Në ndeshje të forta si sot, duhet të qarkullojmë topin më shpejt. Ne kemi luajtur shumë topa në qendër, ishte zonë e mbyllur. E lejuam Tiranën të vinte në kundërsulme, shënuan kundër Laçit ashtu. Dhe në standarde duhet të jemi më të vëmendshëm. Në pjesë të parë duhet të rritemi, në të dytën ishim më mirë.
Dodaj ka bërë rritje të jashtëzakonshme këtë sezon. Duhet të bëjmë balancë, t’i japim dhe lojtarëve të tjerë minuta. Nuk duam të harxhojmë energjitë, kemi ndeshje edhe të shtunën ku mund të tregojë kualitetin e tij.
Tekniku i Tiranës, Bledar Shkëmbi deklaroi:
Në këtë situatë që jemi ndoshta na vjen pak keq. VAR ashtu është, ndonjëherë të pëlqen dhe ndonjëherë jo. Nëse golat janë “offside”, jam në rregull.
Është i vetmi moment kur acarohem dhe dal nga vetja. Të gabosh pasime të thjeshta është pak e tepërt.
Nuk ndryshuam gjë taktikisht. Pjesën e parë bëmë shumë mirë. Shënuam dy gola. Patëm dy momente, sidomos me Zharmuni i pastër. Në pjesën e dytë vuajtëm gjendjen fizike. Skuadra po vuante pak. Në sulm e bënte tranzicionin më me vonesë. Kur të shikoj ndeshjen përsëri, mund të gjej momente të tjera.
Më pëlqeu mbrojtja. Në tërësi skuadra në fazën mbrojtëse. Dhe lojtarët që hynë të Vllaznisë, arritën vetëm në një moment me Dodajn që rrezikoj. Më pëlqeu përqëndrimi që kishin Dembele dhe Kola. Kemi folur 3 ditë me skuadrën për Vllazninë që bën diferencën në sulm. Për këtë jam i kënaqur.
