Orkestra Simfonike e Shkodrës ka qenë kryefjalë e reagimeve të dy partive kryesore politike, PD dhe PS të degës së Shkodrës.
Deklarata e PD Shkodër
E rithemeluar pas 32 vitesh, në janar të vitit 2023 me një akt të paprecedent sot Orkestra Simfonike e Shkodrës kthehet në një formacion që nuk është as mish as peshk, as ansambël dhome as orkestër. E gjitha kjo me vendime personale të drejtorisë së kulturës të Benet Becit.
Në datën 15 janar 2025 në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër u shpallën pa asnjë paralajmërim, pa asnjë rregullore, pa asnjë kriter të qartë profesional, audicionet për 51 instrumentistë, të cilat u zhvilluan jashtë çdo kriteri kohor për të tilla konkurse në datat 20 dhe 21 janar në ambientet e Teatrit “Migjeni”, ku për show-n e radhës ishte prezent edhe vetë Benet Beci dhe Drejtori i transportuar i kulturës Pandi Laço, të cilët e quajtën edhe si një arritje dhe pjesëmarrje bombastike!
Por tullumbacja e propagandës u shpua shumë shpejt!
Po në faqen zyrtare në këtë shpallje absurde për një orkestër funksionale, e cila ka shkëlqyer gjatë këtyre dy viteve në koncerte kombëtare e ndërkombëtare, parashikohej shpallja e fituesve brenda 5 ditësh sipas ligjit.
Fituesit nuk u shpallën kurrë, rezultatet e jurisë nuk u deklaruan dhe administrata e Benetit ka disa ditë, në kundërshtim me çdo normë ligjore, që thërret sipas “simpative” personale në telefona privat instrumentistë për lidhjen e kontratës!
Në këtë listë të fshehtë Benet Beci dhe administrata e tij kanë parashikuar vetëm gjysmën e kontratave për instrumentët e orkestrës simfonike, nga 51 që janë miratuar nga këshilli bashkiak, duke e çuar në dekadencën e një ansambli të pakuptimtë muzikor, orkestrën simfonike të Shkodrës.
Reagimi i PS Shkodër
Mentaliteti i vjetër i të bërit politikë me asetet e Bashkisë Shkodër i ka zënë sytë madje shkojnë deri aq larg sa duan të përdorin edhe një aset të Shkodrës siç është Orkestra Simfonike, për të mbushur opinionin publik dhe të përhapin tellallin për “shkrirje”.
Pasi dolën bllof me “shkrirjen” e Teatrit Migjeni, që vazhdon të jetë aty si dikur me madhështinë e tij, sot opozita e “bufit” po bën një tjetër gafë me shkodranët e kulturës!
Orkestra Simfonike e Shkodrës jo vetëm që nuk po “shkrihet”, por falë një koncepti të mirëmenduar nga Drejtoria e Përgjithshme e Kulturës, po kalon kufijtë lokalistë ku ishte katandisur.
Orkestra Simfonike e Shkodrës, nuk preket në asnjë moment në numrin e saj, me 51 artistë që do të jenë pjesë e saj, sepse askush nuk del mbi dokumentin ligjor siç është dokumenti themeltar i funksionimit të Bashkisë Shkodër, buxheti.
Por ajo çfarë nuk i pëlqen, “bufëve” të opozitës është gara, konkursi që për herë të parë në bazë të ligjit bëhet në Bashkinë e Shkodrës për këtë aset të kulturës siç është Orkestra Simfonike për të cilën janë ftuar të bëhën pjesë emrat më të mëdhenj të artit dhe kulturës shqiptare.
Shkodra e ka vuajtur në kurriz mentalitetin e “pronës” e cila për 32 vite ka shërbyer si pronë e babës për drejtuesit e Bashkisë Shkodër, sot kemi një frymë tjetër, një mentalitet tjetër ku më të mirët po bëhen pjesë e Shkodrës dhe ky është rasti edhe i orkestrës simfonike të cilën shkodranët do ta duartrokasin në projektet e radhës që do ti serviren publikut të mrekullueshëm të Shkodrës.
