Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Qendra e Studimit të Arteve nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e historisë së fotografisë shqiptare.

Marrëveshja u nënshkrua në sallën “Akademikët” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nga drejtuesit e këtyre institucioneve përkatësisht dr. Luçjan Bedeni, Valbona Zhupa dhe akad. asoc. Stefan Çapaliku për realizimin e projektit shkencor “Antologjia e fotografisë shqiptare” të iniciuar nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, me synim promovimin e trashëgimisë fotografike shqiptare.

Kreu i Qendrës së Studimit të Arteve, akademiku Stefan Çapaliku tha se, fotografia nuk ka qenë në fokus të studimeve tona ashtu siç e meriton.

“Jemi shumë të lumtur që pritëm iniciativën nga dr. Bedeni për të pasur një bashkëpunim në përpilimin e një antologjie të parë retrospektivë të fotografisë shqiptare. Arkivi më i madh i fotografisë shqiptare gjendet në Muzeun “Marubi” në Shkodër, por një arkiv mjaft i pasur i fotografisë gjendet pranë ATSH-së. Me këto dy burime dhe të tjera të ndërsjellta që do të vijnë nga kërkimet tona si Qendër e Studimit të Arteve, do mund t’i dalim që brenda një kohe dyvjeçare të kemi këtë vepër shumë të rëndësishme të fotografisë”, u shpreh akademiku Çapaliku.

Ndërsa drejtori i Muzeut “Marubi”, dr. Bedeni u shpreh se bashkëpunimi me ATSH-në nuk është i rastësishëm, por vjen si rrjedhojë e një bashkëpunimi të mëparshëm, dhe se pas arkivit të “Marubit”, patjetër që arkivi më i rëndësishëm është ai i ATSH-së, që dokumenton kryesisht historinë e realizmit socialist shqiptar (1953 deri në vitet ’90 e më tej).

“Nëse do të fillonim të punonim për një histori të artit të fotografisë do të ishte me rëndësi të vendosnim disa pika mbi “i” që i kanë munguar edhe vetë Marubit. Kur ka munguar informacioni bazë për të, imagjinoni se çfarë ka ndodhur me shumë autorë të tjerë të cilët nuk janë hulumtuar”, u shpreh Bedeni.

Drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa tha gjatë takimit se ndonëse kjo antologji është e vonuar, do të risjellë në kujtesë emrat e fotografëve si dhe dëshminë e punës së tyre të çmuar.

“Agjencia Telegrafike Shqiptare është agjencia e vetme zyrtare në vend, që daton nga viti 1912. Arkivi i saj është jashtëzakonisht i pasur, me mbi 260 mijë foto dhe negativë të cilat aktualisht janë në proces digjitalizimi. Kjo do të ndihmojë jashtëzakonisht studiuesit, historianët, por pse jo edhe turistët që të njihen me këtë periudhë të realizmit socialist”, u shpreh Zhupa.

Drejtoresha e ATSH-së vuri theksin te kontributi i institucionit që ajo drejton në përgatitjen e këtij botimi të veçantë, për promovimin e studimit të fotografisë.

“Më vjen mirë që kjo antologji do të risjellë në kujtesë emrat e fotografëve, disa prej të cilëve nuk janë në jetë, por që puna e tyre është në arkiv. ATSH do të ketë një rol të rëndësishëm në promovimin e studimit të fotografisë, por edhe për të treguar një narrativë të plotë dhe autentike për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë”, u shpreh drejtoresha e përgjithshme e ATSH, Valbona Zhupa.

Në kuadër të realizimit të projektit shkencor “Antologjia e fotografisë shqiptare”, do të organizohen vizita dhe takime në institucionet të cilat disponojnë arkiva fotografike, me qëllim hulumtimin e imazheve të përshtatshme për botimin.

Gjithashtu, do të organizohen takime të përbashkëta për të diskutuar strukturën që do të ketë botimi dhe përmbajtjen e tij, si edhe do të organizojnë bashkërisht, biseda të hapura për publikun me qëllim njohjen dhe promovimin e botimit.