Luan Barova u lind në Shkodër me 3 janar 1957 dhe vdiq po në Shkodër, shumë i ri nga një sëmundje e rëndë me 7 korrik 2002. Puna në fizarmonikë dhe sukseset e tija mbeten fryt i këmbënguljes dhe vullnetit të fortë që kishte filluar që në moshën 10-vjeçare. Koncertet e para i jep në qytetin e tij, në Shtëpinë e Pionierit, më pas në Klubin e Rinisë “Heronjtë e Vigut”, në Shkollën Artistike “Prenkë Jakova” dhe në Teatrin “Migjeni”.
Arsimin profesional e filloi në Shkollën Artistike “Prenkë Jakova” në Shkodër në vitet 1971-1975, në klasën e trombonit. Në vitet 1975-1976, punon si drejtues në Klubin e Rinisë “Heronjtë e Vigut”, ku dha shumë koncerte si solist apo si drejtues i një formacioni rinor me këngë qytetare shkodrane e të muzikës argëtuese. Në vitin 1979 kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë, me rezultate të shkëlqyera. Ai ishte një virtuoz në fizarmonikë, i shkëlqyer në trombon, luante në piano dhe i formuar në disiplinat muzikore.
Në 23 vitet e aktivitetit të tij artistik (1979-2002), si profesionist në Teatrin “Migjeni”, një vit si Udhëheqës Artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, jo vetëm ruajti përfaqësimin e specifikuar muzikor të qytetit të Shkodrës, të këngëve të Shqipërisë së mesme e të Kosovës, por e bëri atë më cilësore, më autentike, më të pranishme e të dashur kudo, në mbrëmje intime, skena, sheshe, studio e ekrane radiotelevizive në Shqipëri, Kosovë e kudo ku jetojnë shqiptarët.
Luani do të shquhej si instrumentist solist, drejtues, udhëheqës artistik, orkestrues e pedagog. Opinioni muzikal e vlerëson Luan Barovën si fizarmoniçist virtuoz të një klasi të veçantë, më brilanti i tërë kohërave në Shkodër. Në duart e tij, ky instrument u bë i aftë ashtu si violina, pianoja e violonçeli, të shprehë një gamë emocionesh të gjëra e të larmishme. Si drejtues artistik, me Luan Barovën kënga qytetare shkodrane, e Shqipërisë së mesme dhe ajo kosovare, për herë të parë në historinë e shoqërimit orkestral, krijoi raporte në bashkëtingëllimin e formacionit orkestral me solistin. Tingulli bëhet i rëndësishëm për shoqërimin e këngëve qytetare.
Evoluimi i ndjeshëm që pësoi kënga qytetare shkodrane është i lidhur ngushtë me punën e tij si orkestrues. U bë reformator në këtë aspekt të rëndësishëm të këngës. Nëpërmjet orkestracionit zbuloi tek kënga emocione të reja, e ngriti atë në hapësira të padëgjuara më parë. Fondi i tij përmbledh dhjetra e qindra këngë të orkestruara dhe ekzekutuara prej tij, të ripunuara në disa variante të cilat përmblidhen në mbi 600 këngë qytetare shkodrane, të Shqipërisë së mesme dhe të Kosovës. Ato dëgjohen kudo në ambiente familjare, Radio Shkodra, TV lokale, RTSH, TV Klan, radio e tv të Kosovës.
Në bashkëpunim me Luan Barovën shumë këngëtarë u bënë individualitete të spikatura edhe në shkallë kombëtare si: Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Florinda e Ndrekë Gjergji, Bujar Qamili, Myfarete Laze, Vasil Marku, Filomena Leka, Mimoza Rama, Mukades Çanga, Enriketa Kuqani, Violeta Zefi, Bashkim Alibali, Eduard Jubani, Rita Ndoci, Broz Gocaj, Vjollca Luka, Adnan Bala, grupi vokal “Karajfilat që ka Shkodra”.
Vetëm me këngëtarin Bujar Qamili “Nderi i Kombit”, ka realizuar mbi 50 regjistrime dhe 3 koncerte recitale. Muzika e tyre është kolonë zanore e një filmi italian “Saimir” me regjisor Francesco Monzi. Si udhëheqës artistik, ai gjithmonë pasuroi korpusin e këngës qytetare shkodrane, të Shqipërisë së mesme dhe asaj nga Kosova me repertor të ri.
Megjithëse nuk përbën fushën kryesore të veprimtarisë së tij artistike, ai kompozoi këngë për fëmijë, këngë të tipit popullor, muzikë për dramë dhe muzikë argëtuese. Shkodra i është mirënjohëse për zhvillimin që i ka dhënë këngës qytetare shkodrane dhe muzikës në përgjithësi.
Për të gjitha këto arritje, në vitin 2002, Këshilli Bashkiak i qytetit e vlerësoi me titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005, kolegët e tij artistë: muzikantë e këngëtarë, organizuan një koncert madhështor me krijimtarinë e tij, regjistruar dhe transmetuar nga RTSH në vitin 2006. Unioni Artistik i Kombit Shqiptar e vlerësoi me titullin “Mirënjohja e Unionit” me motivacionin: “Për krijimtari me vlera të larta artistike”. Në korrik 2007, në Festivalin e përvitshëm Folklorik Tipologjik Kombëtar të zhvilluar në Shkodër, akordohet titulli “Luan Barova” për orkestrën më të mirë (fituar nga orkestra e Elbasanit) dhe po këtë vit realizohet dokumentari kushtuar Luan Barovës, i titulluar “Shpirti i përbashkët”.
