Çdo vit, më 21 shkurt festohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare. Ajo u shpall e tillë në vitin 1999 nga UNESCO. Në kuadër të saj, në Gjimnazin “28 Nëntori” u organizua aktiviteti kulturor-shkencor “Shqipja, gjuhë në përjetësi” me iniciativën e ekipit lëndor të shkollës.

“Epoka e globalizmit në të cilën jetojmë po ndikon në gjuhën amtare”, shprehet mësuesja Orjeta Dushi.

Pozitiv mbetet fakti që Gjuha Shqipe është një lëndë e preferuar për nxënësit e këtij gjimnazi që mban titullin “Nderi i Kombit” dhe vijon të ruajë traditën e mirë në rezultatet e arritura.

Në kuadër të veprimtarisë dedikuar Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare u evidentua kontributi i madh i gjuhëtarëve të shquar me origjinë nga Shkodra si: Kolë Ashta, Jup Kastrati, Tomor Osmani, David Luka, Bahri Beci dhe Kolec Topalli. Elementët artistikë si: këngë, valle dhe interpretime shoqëruan këtë aktivitet.