Në 106-vjetorin e themelimit të klubit të futbollit “Vllaznia” është prezantuar një këngë e re kushtuar asaj. “Nderi i Kombit” Bujar Qamili ka sjellur për zemrat kuqeblu këngën “Vllaznia jonë”. Projekti muzikor është mbështetur financiarisht nga Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi.
Teksti i këngës është shkruar nga Bujar Qamili ndërsa muzika dhe orkestrimi nga djali i tij, Artion Qamili. Klipi i këngës “Vllaznia jonë” shfaq këngëtarin shkodran duke kënduar përkrah tifozëve “Vllaznit Ultras” me atmosferën dyngjyrëshe të krijuar nga flakadanët në shkallët e stadiumit.
“Vllaznia jonë” është kënga e katërt që Bujar Qamili i ka dedikuar skuadrës shkodrane. Dy të parat janë realizuar kur klubi shkodran fitonte dy titujt e fundit kampionë (1998 dhe 2001). Në maj të vitit 2021, Bujar Qamili realizoi edhe këngën e tretë kushtuar Vllaznisë, kësaj here në bashkëpunim me këngëtarët e rinj shkodranë: Niki Mjeda, Klinsman Llazani dhe Glerdit Turmetaj.
Për fatin e mirë, Vllaznia ka frymëzuar jo pak njerëz të artit për të realizuar krijime artistike. Prej vitit 2001, që përkon edhe me titullin e fundit kampion, janë realizuar 5 këngë: tre nga Bujar Qamili, një nga Frederik Ndoci dhe një tjetër nga Sidrit Bejleri. Tifozëria shkodrane përtej kënaqësisë që sjell një këngë për klubin e zemrës, pret festën e titullit të munguar prej 24 vitesh në Shkodër.
