Zona muzeale e Shkodrës është një pjesë e vyer qytetit që ruan trashëgiminë e pasur historike dhe kulturore të tij. Zona muzeale e kryqendrës së veriut është padyshim imazhi kryesor për vizitorët vendas e të huaj. “Ruajtja e identitetit të saj nga mosshkatërrimi është një proces që duhet bërë me kujdes”, shprehet arkitekti shkodran, Zef Çuni.
“Ne kemi një qendër historike me mjaft vlera që faktikisht është restauruar disa herë. Kohët e fundit ka shumë dëme në këtë zonë të qytetit. Po të ecni dhe vëreni me kujdes ka dëmtime në fasada, në çati teksa këto të fundit janë kthyer në tarraca të shfrytëzueshme”, thotë arkitekti shkodran.
Arkitekti Çuni thotë se nevojitet një vëmendje e madhe ndaj monumenteve të kulturës në Shkodër.
“Duhet t’i rikthehemi restaurimit të monumenteve të kulturës. Faktikisht ka shumë që nuk investohet për restaurimin e tyre që prej ndërtimit të Muzeut “Marubi”. Janë shumë objekte që po rrezikojnë të shkatërrohen siç është Shtëpia e Pashko Vasës, Shtëpia e Dan Hasanit apo Shtëpia e Hodo Sokolit por edhe rruga “Kolë Idromeno”. Duhet të investohet në qendrën historike përndryshe pas disa vitesh nuk do të jetë më ajo që ishte”, thotë Çuni.
Për ata që duan të eksplorojnë historinë, kulturën dhe artin e Shkodrës, ajo ka shumëçka për të ofruar por ruajtja e këtyre objekteve mbetet një sfidë për të mos humbur trashëgiminë kulturore.
