Festimet e Karnavaleve në Shkodër nisin më 17 shkurt dhe ato do të zgjasin një javë. Bashkia Shkodër si organizatore e festës ka përgatitur një program që do të përfshijë çdo grupmoshë. Festa e hershme që karakterizon kryeqendrën e veriut pritet të ketë ndikim edhe në numrin e rezervimeve në qytet.

Me aktivitetet kulturore të programuara për vitin 2025 synohet tërheqja e sa më shumë vizitorëve. Karnavalet në Shkodër bëjnë që rrugët e qytetit të mbushen me atmosferë gëzimi dhe kreativiteti. Muzika, kostumet shumëngjyrëshe dhe maskat veneciane janë disa nga elementët që i karakterizojnë ato prej vitit 1861.