Kalaja “Rozafa” është një nga atraksionet më të njohura turistike në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë. Ajo ofron një kombinim të historisë, legjendës dhe pamjeve spektakolare, duke e bërë një vend tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj.

Vitin e kaluar siti arkeologjik pati një rritje mbresëlënëse teksa u vizitua nga 160 mijë turistë, shifër kjo, më e larta e regjistruar ndonjëherë. Në krahasim me vitin 2023, rritja rezultoi 26% më shumë. Vizitorët e huaj janë përherë e më të pranishëm në këtë objekt të lashtësisë si në mënyrë individuale ashtu edhe të organizuar në grupe. 

DRTK Shkodër ka publikuar shifrat e vizitueshmërisë për muajin e parë të vitit 2025. Janari rezulton me 4 mijë vizitorë duke vijuar trendin pozitiv të rritjes. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka një rritje prej 8% të numrit të turistëve.

Kalaja “Rozafa” është një ndalesë e rëndësishme për të gjithë ata që vizitojnë kryeqendrën e veriut. Historia dhe arkitektura, legjenda, pamjet panoramike si dhe atraksionet brenda kalasë po paraqesin interes gjithnjë e më shumë për vizitorët vendas dhe të huaj që duan të njohin trashigiminë tonë kulturore.