Për herë të parë, në Spitalin Rajonal Shkodër është kryer me sukses stentimi i arteries karotide, një procedurë e avancuar endovaskulare që ofron një alternativë më pak invazive për pacientët me rrezik të lartë. Ky rast përfshinte një pacient 84-vjeçar, i diagnostikuar me TIA (Atak Iskemik i Përkohshëm), i cili nuk ishte i përshtatshëm për ndërhyrje kirurgjikale tradicionale.
Ky sukses përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara për Spitalin Rajonal të Shkodrës, duke e pozicionuar atë si një qendër që ofron protokolle të plota dhe trajtime të avancuara për sëmundjet vaskulare. Ky angazhim tregon përkushtimin e spitalit në sigurimin e shërbimeve mjekësore të specializuara dhe cilësore për pacientët.
Në faqen e Ministres së Shëndetësisë shprehet mirënjohje për ekipin mjekësor të përbërë nga: Dr. Besmir Grizhja, Dr. Enkelejd Lohja, Dr. Gledis Zaimi dhe Dr. Genc Nurja dhe stafin infermieror, përfshirë Ermali Dibrën, Afrim Bashin dhe Ilir Dizdarin.
